Kualifikimi i mësuesve, zbardhet i plotë udhëzimi. Kriteret, provimet, vlerësimi dhe ankesat

Një udhëzim i posaçëm për kriteret dhe procedurat e kualifikimit të mësuesve është zbardhur nga Ministria e Arsimit dhe në të bëhet e qartë se kualifikimi i mësuesve do të organizohet në përputhje me kriteret dhe procedurat e përcaktuara në këtë udhëzim, duke synuar transparencë, meritokraci dhe barazi për situata objektive të njëjta.

Organizimi i procesit të kualifikimit

Procesi i kualifikimit të mësuesve në sistemin arsimor parauniversitar për kandidatët e kategorisë III (Mësues i kualifikuar) dhe të kategorisë II (Mësues specialist) kryhet nëpërmjet portofolit të zhvillimit profesional të mësuesve dhe provimeve me test sipas lëndëve/profileve dhe cikleve përkatëse.

Procesi i kualifikimit të mësuesve në sistemin arsimor parauniversitar për kandidatët e kategorisë I (Mësues mjeshtër) kryhet nëpërmjet portofolit të zhvillimit profesional të mësuesve dhe provimit të realizuar me orë mësimore të hapur në lëndën/ profilin dhe ciklin përkatës.

Provimi për kandidatët e kategorisë III (Mësues i kualifikuar) dhe të kategorisë II (Mësues specialist)

Provimi i kualifikimit të kandidatëve të kategorisë III (Mësues i kualifikuar) dhe të kategorisë II (Mësues specialist):

a) zhvillohet me shkrim me një kohëzgjatje dy orë e tridhjetë minuta në mjediset e përcaktuara nga ASCAP-i;

b) administrohet nga ASCAP-i në bashkëpunim me DPAP-në dhe DRAP-të.

Zhvillimi i orës mësimore të hapur për kandidatët e kategorisë I (Mësues mjeshtër)

Zhvillimi i orës mësimore të hapur të kandidatëve të kategorisë I (Mësues mjeshtër) organizohet në mjediset e shkollës përkatëse të kandidatit me një klasë të caktuar.

ZVAP-ja, në bashkëpunim me drejtuesit e rrjeteve profesionale, harton kalendarin e zhvillimit të orëve mësimore të hapura dhe e miraton atë për të gjithë kandidatët sipas periudhës së përcaktuar nga MAS-i.

Drejtuesi i rrjetit profesional siguron pjesëmarrjen e anëtarëve të rrjetit profesional në orën mësimore të hapur të zhvilluar nga kandidati mësues sipas kalendarit të miratuar nga ZVAP-ja.

Ora mësimore e hapur zhvillohet nga kandidati mësues në prani të drejtuesit dhe anëtarëve të rrjetit professional, si dhe të drejtuesit të shkollës që mbulon lëndën/profilin përkatës.

Në përfundim, ora e hapur vlerësohet sipas niveleve të vlerësimit, bazuar në instrumentin e vlerësimit të orës mësimore të hapur.

Kriteret e pranimit

Kandidatët për kualifikim (kandidatët) janë punonjësit e institucioneve arsimore parauniversitare publike dhe private, të cilët kanë diplomë në fushën e mësuesisë ose zotërojnë diplomë të arsimit të lartë të ciklit të parë dhe të dytë ose të barasvlershme me to, të ngjashme ose të përafërt me fushën përkatëse të mësimdhënies në arsimin parauniversitar, si dhe kandidatët që japin lëndët e muzikës, të arteve pamore, kërcimit dhe edukimi fizik.

Procedurave të kualifikimit u nënshtrohen detyrimisht të gjithë mësuesit të cilët, deri më 31 dhjetor të vitit paraardhës, plotësojnë kushtet e mëposhtme për vjetërsinë e punës në arsim:

a) të paktën 5 vjet punë për kategorinë e kualifikimit “Mësues i kualifikuar”;

b) të paktën 10 vjet punë për kategorinë e kualifikimit “Mësues specialist” dhe të paktën 5 vjet punë pas marrjes së kategorisë “Mësues i kualifikuar”;

c) të paktën 20 vjet punë për kategorinë e kualifikimit “Mësues mjeshtër” dhe të paktën 10 vjet punë pas marrjes së kategorisë “Mësues specialist”.

Punonjësit arsimorë, që kanë mospërputhje midis vjetërsisë së punës në arsim dhe kategorisë së kualifikimit, kualifikohen për kategorinë më të ulët që nuk e kanë fituar ende.

Duke filluar nga viti shkollor 2014-2015 e në vazhdim, mësuesit që plotësojnë kriteret e pikës 2 të këtij neni, kanë të drejtë të aplikojnë për të fituar kategorinë e kualifikimit, nëse kanë kryer të paktën 3 ditë trajnimi në vit kalendarik, të cilat janë të barasvlershme me 18 orë trajnimi të pasqyruara me 1 (një) kredit.

Parimet bazë të procedurave të provimit të kualifikimit për kandidatët e kategorisë III (Mësues i kualifikuar) dhe të kategorisë II (Mësues specialist)

Procedura e provimit të kualifikimit bazohet në parimet e mëposhtme:

a) Ruajtja e fshehtësisë së fondit të pyetjeve dhe të testeve.

b) Korrektesa e kandidatëve në mjedisin e provimit.

c) Korrektesa e administrimit.

ç) Vlerësimi i standardizuar i përgjigjeve të kandidatëve.

Parimet bazë të provimit për kandidatët e kategorisë I (Mësues mjeshtër)

Zhvillimi i orës mësimore të hapur bazohet në parimet e mëposhtme:

a) kreativiteti;

b) inovacioni;

c) profesionalizmi;

d) gjithëpërfshirja;

e) efektiviteti.

Detyrat e institucioneve përgjegjëse dhe të kandidatëve

Detyrat e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar kryen detyrat e mëposhtme:

a) harton programet orientuese për kualifikimin sipas profileve përkatëse, të cilat përmbajnë orientime rreth njohurive dhe aftësive bazë që duhet të zotërojë mësuesi për provimin e kualifikimit për kandidatët e kategorisë III (Mësues i kualifikuar) dhe të kategorisë II (Mësues specialist), orientime rreth formatit të orës mësimore të hapur për kandidatët e kategorisë I (Mësues mjeshtër), referencat e literaturës që përbëhen nga akte ligjore e nënligjore dhe udhëzues të institucioneve të varësisë së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Pjesa tjetër e literaturës përzgjidhet nga mësuesit që do të marrin pjesë në kualifikim;

b) cakton hartuesit e fondit të pyetjeve, hartuesin e testit dhe vlerësuesit e testeve;

c) realizon seanca informuese me hartuesit e fondit të pyetjeve, hartuesit e testeve, vlerësuesit e testeve dhe me përgjegjësit e administrimit të provimit, për zhvillimin e këtyre proceseve;

d) harton formatet e procesverbaleve të parashikuara në këtë udhëzim që lidhen me provimin e kualifikimit;

e) përcakton mjediset ku do të zhvillohen provimet në bashkëpunim me DPAP-në;

f) cakton numrin e kandidatëve në provim sipas mjediseve përkatëse;

g) njofton secilën drejtori rajonale të arsimit parauniversitar (DRAP) për numrin e punonjësve të saj ose punonjësve të zyrave vendore të arsimit parauniversitar (ZVAP) në varësi të tyre që do të luajnë rolet e përgjegjësit të administrimit të provimit, administratorit dhe sekretuesit;

h) përcakton kriteret e vlerësimit me pikë të kërkesave të testit dhe të pjesëve të tij;

i) përdor barkode për sekretimin e testeve të provimit;

j) monitoron procesin e organizimit të provimeve;

k) organizon dhe kryen përmes vlerësuesve procesin e vlerësimit të kandidatëve për përgjigjet e testeve;

l) dërgon në DRAP/ZVAP listën e vlerësimeve për çdo pjesëmarrës, me pikët për të dyja pjesët e testit dhe vlerësimin me fjalë të tij;

m) monitoron procesin e zhvillimit të orëve mësimore të hapura në bashkëpunim me DPAPnë, DRAP-të dhe ZVAP-të;

n) harton bazën e të dhënave përfundimtare për të gjithë kandidatët në procesin e kualifikimit; o) harton raportin e ecurisë së procesit të kualifikimit dhe ia paraqet ministrit përgjegjës për arsimin;

p) i paraqet ministrit përgjegjës për arsimin rekomandime për politikat dhe planet e zhvillimit profesional të personelit mësimor bazuar në rezultatet e provimit të kualifikimit.

Detyrat e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar

Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar kryen detyrat e mëposhtme:

a) harton listën përfundimtare të përgjegjësve të administrimit, administratorëve dhe sekretuesve për administrimin e provimit të kualifikimit sipas mjediseve dhe numrit të përcaktuar nga ASCAP-i;

b) verifikon dhe monitoron saktësinë e aplikimeve të paraqitura nga kandidatët për procesin e kualifikimit të kryer nga ZVAP-ja përkatëse;

c) verifikon dhe monitoron vlerësimin e kritereve të kandidatëve për të hyrë në procesin e kualifikimit të kryer nga ZVAP-ja përkatëse;

d) monitoron vlerësimin e portofolit të mësuesit të kryer nga ZVAP-ja përkatëse.

e) monitoron procesin e zhvillimit të orëve të hapura, në bashkëpunim me ASCAP-in, DRAP-të dhe ZVAP-të.

Detyrat e Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar

Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar kryen detyrat e mëposhtme:

a) harton listën e emrave të të gjithë kandidatëve që do të marrin pjesë në kualifikimin e mësuesve për DRAP-në dhe e dërgon në ASCAP sipas bazës së të dhënave të përcaktuar së bashku me pikët e portofolit;

b) verifikon dhe monitoron plotësinë dhe saktësinë e aplikimeve të paraqitura nga kandidatët për procesin e kualifikimit;

c) verifikon dhe monitoron procesin e vlerësimit të kritereve të kandidatëve për të hyrë në procesin e kualifikimit të kryer nga ZVAP-ja përkatëse;

d) monitoron vlerësimin e portofolit të mësuesit të kryer nga ZVAP-ja përkatëse;

e) monitoron procesin e zhvillimit të orëve mësimore të hapura në bashkëpunim me ASCAPin, DPAP-në dhe ZVAP-të.

f) harton listën e emrave të përgjegjësve të administrimit, administratorëve dhe sekretuesve për provimet e kualifikimit dhe i dërgon në DPAP;

g) dërgon zyrtarisht në ASCAP, në formë elektronike dhe me shkresë zyrtare, bazën e të dhënave të plota sipas formatit të ASCAP-it;

h) organizon seminare rreth rezultateve të kualifikimit në DRAP;

i) përmirëson planin e zhvillimit profesional të punonjësve arsimorë mbështetur në rezultatet e provimeve.

Detyrat e Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar

Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar kryen detyrat e mëposhtme:

a) informon kandidatët për procedurat dhe rregullat e procesit të kualifikimit;

b) njofton kandidatët që të paraqesin kërkesën për kualifikim dhe portofolin profesional;

c) shqyrton dhe miraton kërkesat e paraqitura;

d) vlerëson me pikë portofolet e kandidatëve nga komisione të ngritura në ZVAP;

e) njofton secilin kandidat dhe drejtorinë përkatëse të institucionit arsimor për vlerësimin me pikë të portofolit;

f) dërgon në DRAP listën emërore të të gjithë kandidatëve me pikët e portofolit, sipas bazës së të dhënave të përcaktuara nga ASCAP-i;

g) njofton secilin kandidat për datën, mjedisin dhe orën e zhvillimit të provimit për kandidatët e kategorisë III (Mësues i kualifikuar) dhe të kategorisë II (Mësues specialist);

h) njofton për rezultatet në provim secilin kandidat dhe drejtorinë përkatëse të institucionit arsimor;

i) njofton në bashkëpunim me drejtuesin e rrjetit profesional secilin kandidat për datën e zhvillimit të orës mësimore të hapur për kandidatët e kategorisë I (Mësues mjeshtër);

j) siguron pjesëmarrjen në orën mësimore të hapur të drejtuesit dhe të dy anëtarëve të rrjetit profesional, si dhe të një përfaqësuesi të saj;

k) përgatit instrumentin përkatës për vlerësimin e orës mësimore të hapur, i cili plotësohet dhe nënshkruhet nga drejtuesi i rrjetit profesional dhe drejtuesi i institucionit arsimor përkatës, si dhe nënshkruhet nga mësuesi kandidat;

l) mbledh të gjitha vlerësimet për orët mësimore të hapura të zhvilluara nga kandidatët e kategorisë I (Mësues mjeshtër) dhe i ruan ato sipas legjislacionit në fuqi; m) monitoron procesin e zhvillimit të orëve mësimore të hapura në bashkëpunim me ASCAPin, DPAP-në dhe DRAP-të;

n) plotëson bazën e të dhënave me pikët e vlerësimit për kandidatët për kategorinë I;

o) hedh në bazën e të dhënave të personelit mësimor të dhënat e reja të kualifikimit të mësuesve.

Detyrat dhe përgjegjësitë e kandidatit të kategorisë III (Mësues i kualifikuar) dhe të kategorisë II (Mësues specialist) në provim

Ditën e zhvillimit të provimit, kandidati duhet të respektojë rregullat e mëposhtme:

a) të jetë i pajisur me dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë);

b) të paraqitet së paku 30 minuta përpara fillimit të provimit;

c) të mos mbajë dhe të mos përdorë telefonin celular dhe mjete të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të provimit, pasi kjo përbën kriter skualifikimi;

d) të mos pijë duhan dhe të mos konsumojë ushqime në mjediset e provimit;

e) të mos komunikojë me të tjerët gjatë zhvillimit të provimit.

Kandidatit që nuk paraqitet në provim, ose tërhiqet përpara fillimit të tij, provimi nuk vlerësohet si i kryer. Kandidati që hyn në provim dhe tërhiqet nga provimi pa e përfunduar atë, skualifikohet. Kandidati që del nga salla e provimit nuk rihyn në sallë gjatë zhvillimit të provimit. Mjediset ku zhvillohet provimi, monitorohen nëpërmjet strukturave të sigurimit të cilësisë së ASCAP-it.

Detyrat dhe përgjegjësitë e kandidatit të kategorisë I (Mësues mjeshtër)

Kandidati realizon orën mësimore të hapur vetëm në ditën e përcaktuar në kalendarin e ZVAP-së duke respektuar orarin përkatës.

Për zhvillimin e orës mësimore të hapur, kandidati duhet të ketë parasysh:

a) të përgatisë paraprakisht planifikimin e orës mësimore të hapur dhe t’ua vë në dispozicion pjesëmarrësve;

b) të vë në dijeni drejtorinë e institucionit arsimor për klasën me të cilën do të zhvillojnë orën mësimore të hapur;

c) të përgatisë paraprakisht mjedisin e klasës ku do të zhvillohet ora mësimore e hapur;

d) të diskutojë me pjesëmarrësit cilësinë dhe efektivitetin e realizimit së orës mësimore të hapur.

Organizimi i kualifikimit

Portofoli personal i kandidatit përmban këto dokumente:

a) Jetëshkrimi (me fotografi).

b) Fotokopje e noterizuar e certifikatave me kreditet përkatëse.

c) Fotokopje e noterizuar e dëshmive të titujve/gradave shkencore (nëse ka).

ç) Fotokopje e noterizuar e dëshmive të mbrojtjes së gjuhëve të huaja (nëse ka).

d) vlerësimi i fundit i drejtorit të institucionit arsimor.

Portofoli profesional i kandidatit përmban këto dokumente autentike dhe origjinale:

a) Plani i një aktiviteti të një klase të caktuar ose grup klasash, organizuar nga kandidati përkatës, të realizuar gjatë vitit të kualifikimit, të shoqëruar me realizimin e aktivitetit me foto etj.

b) Planifikimi i një ore mësimi model (ditar) duke u bazuar në mësimdhënien me në qendër nxënësin sipas kurrikulës me kompetenca.

c) Testi/detyra përmbledhëse për një periudhë të caktuar, sipas profilit përkatës, të realizuar gjatë vitit të kualifikimit, të shoqëruar me një analizë të thjeshtë të rezultateve të arritura në një klasë të caktuar.

ç) Plani i një projekti kurrikular të zhvilluar nga nxënësit e një klase të caktuar, të shoqëruar me realizimin e tij me foto.

d) Gjuha e huaj e mbrojtur në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, ose në provime ndërkombëtare të njohura sipas akteve ligjore në fuqi.

e) Diploma: diplomë e ciklit të dytë master me 60-120 kredite ECTS, diplomat e ciklit të tretë “Master ekzekutiv” ose të barasvlershme me to me 60-120 kredite ECTS, doktoratë të fituar në fushën e edukimit, e drejtimit të arsimit dhe/ose që lidhet me profilin përkatës.

Diploma e ciklit të dytë nuk përfton pikë, nëse vlen si kriter arsimimi për profesionin e mësuesit.

Vlerësimi i portofolit profesional:

a) Komisioni i Vlerësimit të Portofolit (KVP), i ngritur nga titullari i ZVAP-së, vlerëson me pikë secilin dokument të portofolit profesional, sipas kritereve të përcaktuara.

b) Kandidati që nuk fiton të paktën 1 pikë për çdo dokument të shkronjave a, b, c, ç, ose nuk i dorëzon ato, nuk merr pjesë në provimin e kualifikimit ose në orën mësimore të hapur për kategorinë e parë.

Programet orientuese të kualifikimit

Programet orientuese të kualifikimit të mësuesve hartohen nga ASCAP-i dhe vihen në dispozicion të kandidatëve nga ZVAP-të. Programet orientuese të kualifikimit publikohen edhe në faqen zyrtare elektronike të ASCAP-it. Programi orientues i kualifikimit të mësuesve të arsimit parashkollor bazohet në të gjitha programet mësimore të arsimit parashkollor.

Programi orientues i kualifikimit të mësuesve të arsimit fillor bazohet në të gjitha programet lëndore të arsimit fillor. Programet orientuese të kualifikimit të mësuesve të arsimit të mesëm të ulët, të gjimnazit, të shkollave të specializuara, si dhe të mësuesve të kulturës së përgjithshme në arsimin e orientuar, bazohen në të gjitha programet e lëndëve që japin në shkollë.

Programet orientuese të kualifikimit të mësuesve që japin lëndët profesionale në shkollat artistike, bazohen në programet mësimore për degët e muzikës, artit pamor dhe baletit.

Programet orientuese të kualifikimit të mësuesve që japin lëndët e kulturës profesionale në shkollat speciale ose për mësuesit ndihmës, hartohen sipas programeve të përgatitura nga ASCAP-i.

Mësuesit e arsimit të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë që japin më shumë se një lëndë, do t’i nënshtrohen procesit të kualifikimit për lëndën në të cilën zhvillojnë më shumë orë mësimore vjetore gjatë vitit të kualifikimit. Për raste të veçanta, është kompetencë e ZVAP-së të vendosë në cilën lëndë do të kualifikohet mësuesi.

Testet e provimit të kualifikimit për kandidatët e kategorisë III (Mësues i kualifikuar) dhe të kategorisë II (Mësues specialist)

Testet e provimit të kualifikimit janë:

a) Testi i arsimit parashkollor.

b) Testi i arsimit fillor.

c) Testi i arsimit të mesëm të ulët për lëndët: gjuhë shqipe, anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, matematikë, fizikë, biologji, kimi, histori, gjeografi, qytetari, TIK, edukim fizik, muzikë, art pamor, si dhe lëndë të tjera specifike brenda planit mësimor, sipas kërkesave nga ZVAPtë.

ç) Testi i gjimnazit dhe i kulturës së përgjithshme të shkollave të orientuara dhe speciale për lëndët: gjuhë shqipe dhe letërsi, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, matematikë, fizikë, biologji, kimi, histori, gjeografi, teknologji informacioni dhe komunikimi, ekonomi, qytetari, sociologji, psikologji, filozofi, edukim fizik si dhe lëndë të tjera specifike brenda sistemit arsimor sipas kërkesave nga ZVAP-të.

d) Testi për specialitetet “Muzikë”, “Art pamor” dhe “Balet” në kulturën profesionale në shkollat e orientuara artistike.

e) Testi i përgjithshëm për mësuesit e kulturës profesionale në shkollat speciale ose për mësuesit ndihmës.

Testet hartohen nga grupe të ngritura nga drejtori i ASCAP-it, të përbëra nga specialistë dhe mësues sipas profileve përkatëse, të cilët nënshkruajnë kontratën me drejtorin e ASCAP-it.

Një test i provimit të kualifikimit përbëhet nga dy pjesë:

a) Pjesa e parë përmban dokumentet zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve, programet përkatëse lëndore, metodologjinë e mësimdhënie-nxënies në përgjithësi dhe të lëndës përkatëse, etikën, sjelljen dhe komunikimin e mësuesit në institucionin arsimor parauniversitar, si dhe aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe.

b) Pjesa e dytë përfshin përmbajtjen shkencore të lëndës sipas programit të kualifikimit përkatës.

Ora mësimore e hapur për kandidatët e kategorisë I (mësues mjeshtër)

Ora mësimore e hapur për procesin e kualifikimit të kandidatëve të kategorisë I (Mësues mjeshtër) ndërtohet sipas planifikimit ditor duke përfshirë risi metodologjike për realizimin e rezultateve të të nxënit si dhe risi në procesin e të nxënit.

Orët mësimore të hapura për procesin e kualifikimit janë:

a) Orë mësimore e hapur për arsimin parashkollor.

b) Orë mësimore e hapur për arsimin fillor.

c) Orë mësimore e hapur për arsimin e mesëm të ulët për lëndët: gjuhë shqipe, anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, matematikë, fizikë, biologji, kimi, histori, gjeografi, qytetari, TIK, edukim fizik, muzikë, art pamor, si dhe lëndë të tjera specifike brenda planit mësimor, sipas kërkesave nga ZVAPsë.

ç) Orë mësimore e hapur për gjimnazin dhe për kulturën e përgjithshme të shkollave të orientuara dhe speciale për lëndët: gjuhë shqipe dhe letërsi, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, matematikë, fizikë, biologji, kimi, histori, gjeografi, teknologji informacioni dhe komunikimi, ekonomi, qytetari, sociologji, psikologji, filozofi, edukim fizik si dhe lëndë të tjera specifike brenda sistemit arsimor sipas kërkesave nga ZVAP-së.

d) Orë mësimore e hapur për specialitetet “Muzikë”, “Art pamor” dhe “Balet” në kulturën e orientuar në shkollat artistike. e) Orë mësimore e hapur për mësuesit e arsimit special ose për mësuesit ndihmës.

Administrimi i provimit të kualifikimit për kandidatët e kategorisë III (Mësues i kualifikuar) dhe të kategorisë II (Mësues specialist)

Përgjegjësit e administrimit të provimit, administratorët dhe sekretuesit janë punonjës të DRAP/ZVAP-ve ose persona të caktuar nga titullari i DRAP-së dhe miratuar nga DPAP-ja.

ASCAP-i i dorëzon përgjegjësit të administrimit të provimit fletë-testet në ASCAP;

Përgjegjësi i administrimit të provimit:

a) organizon zhvillimin korrekt të provimit bashkë me administratorët që mbulon;

b) dorëzon fletë-testet përkatëse te secili nga administratorët që ai mbulon;

c) zëvendëson një administrator me një nga administratorët rezervë, kur e sheh të nevojshme;

d) përjashton një kandidat nga provimi, kur ai shkel rregullat e provimit;

e) lejon të futen në mjediset e provimit vetëm personat e autorizuar nga ministri;

f) harton procesverbalin dhe ia dorëzon atë përfaqësuesit të ASCAP-it.

Administratori i provimit:

a) organizon zhvillimin korrekt të provimit;

b) respekton orarin e zhvillimit të provimit;

c) sigurohet, përpara fillimit të provimit, për identitetin e kandidatit nëpërmjet dokumentit të tij të identifikimit;

d) sigurohet që çdo kandidat është ulur në vendin e paracaktuar;

e) njeh kandidatët me rregullat e zhvillimit të provimit dhe masat disiplinore;

f) u shpërndan fletë-testet kandidatëve;

g) nuk lejon asnjë person të paautorizuar të futet në mjedisin e provimit;

h) njofton menjëherë përgjegjësin e administrimit kur shfaqen parregullsi që cenojnë mbarëvajtjen e provimit;

i) dorëzon te përgjegjësi i administrimit fletëtestet e përfunduara bashkë me fletë-testet e papërdorura;

j) harton procesverbalin e provimit dhe ia dorëzon përgjegjësit të administrimit.

Në përfundim të provimit të kualifikimit, përgjegjësi i administrimit i dorëzon përfaqësuesit të ASCAP-it kutinë me fletë-testet dhe materialet e provimit.

Mjediset e provimit të kualifikimit për kandidatët e kategorisë III (Mësues i kualifikuar) dhe të kategorisë II (mësues specialist)

Në një mjedis provimi vendosen vetëm kandidatët e një apo disa ZVAP-ve sipas rendit alfabetik të emrave të tyre.

Në hyrje të çdo mjedisi provimi, në një vend të dukshëm, shpallet lista e kandidatëve në atë mjedis dhe vendi i secilit kandidat.

Në mjedisin e provimit, kandidatët qëndrojnë jo më pak se 1,5 m larg njëri-tjetrit.

Në ditën e provimit, në godinën ku zhvillohet provimi nuk kryhet asnjë veprimtari tjetër.

Në mjedisin e provimit lejohen të hyjnë ose të qëndrojnë vetëm:

a) përgjegjësi i administrimit të provimit; b) administratori;

c) sekretuesi;

d) monitoruesi si dhe persona të autorizuar nga ministri.

Korrektesa në provimin e kualifikimit për kandidatët e kategorisë III (Mësues i kualifikuar) dhe të kategorisë II (Mësues specialist)

Kandidati nuk lejohet:

a) të marrë ose të japë informacion ose kopje nga një kandidat tjetër;

b) të komunikojë me një kandidat tjetër;

c) të bëjë komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit gjatë kohës së zhvillimit të provimit;

ç) të mbajë celular ose mjet tjetër të teknologjisë së komunikimit dhe informacionit;

d) të plotësojë testin me laps;

dh) të shkruajë në fletën e provimit ndonjë shënim tjetër përveç çfarë kërkon testi;

e) të ketë me vete materiale të tjera, si: libra, fletore, fletë të bardha etj.;

f) të ndërrojë vendin e paracaktuar;

g) të mos dorëzojë testin tek administratori.

Kandidati, që ka shkelur një nga detyrimet e përcaktuara në shkronjat “a”, “b”, “ç”, “dh”, “e”, “f” dhe “g”, të pikës 1 të këtij neni, sipas raportimit me shkrim të administratorit, skualifikohet nga provimi dhe nuk fiton kategorinë e kualifikimit.

Administruesi ndalohet:

a) të japë kopje ose të lejojë të kopjohet;

b) të mbajë celular gjatë zhvillimit të provimit;

c) të largohet nga mjedisi i provimit duke lënë kandidatët pa një zëvendësues;

ç) të komunikojë me kandidatin për përmbajtjen e testit;

d) të shfletojë ose të bëjë shënime në materialet e provimit, si gjatë edhe pas përfundimit të provimit.

ASCAP-i njofton MAS-in dhe DRAP/ZVAP-në përkatëse dhe, më pas, DRAP/ZVAP-ja njofton drejtorin e institucionit arsimor përkatës për:

a) hartuesin e testeve që nuk ka ruajtur fshehtësinë e testit;

b) vlerësuesin e testit që nuk është treguar korrekt gjatë vlerësimit të testeve;

c) administratorin që nuk ka zbatuar udhëzimin.

ASCAP-i mban procesverbal për rastet kur vëren parregullsi gjatë zhvillimit të provimit.

Sekretimi i provimit të kualifikimit për kandidatët e kategorisë III (Mësues i kualifikuar) dhe të kategorisë II (Mësues specialist)

Sekretimi i testeve bëhet me anë të barkodeve. Në secilin test ka një vend të caktuar ku vendoset barkodi. Sekretimi i testeve fillon menjëherë, pasi ka filluar procesi i provimit.

Sekretuesi vendos barkodin në test dhe në listën emërore të kandidatëve të përgatitur nga ASCAP. Kandidati nënshkruan pasi të ketë verifikuar emrin në listë. Pas përfundimit të procesit të sekretimit, sekretuesi bën mbylljen e barkodeve të sekretimit të papërdorura.

Vlerësimi i provimit të kualifikimit për kandidatët e kategorisë III (Mësues i kualifikuar) dhe të kategorisë II (Mësues specialist)

Vlerësimi i testeve kryhet në Tiranë, në mjedise të përcaktuara nga ASCAP-i, nga komisionet e vlerësimit të testeve. Vlerësuesi nënshkruan kontratën me drejtuesin e ASCAP-it.

Komisioni i vlerësimit të testeve është i përbërë nga dy anëtarë që janë specialistë ose bashkëpunëtorë të ASCAP-it për lëndën që testohet. Komisioni i vlerësuesve vlerëson me pikë secilën nga dy pjesët e testit dhe veçon testet e dyshuara për kopjim.

Provimi quhet i kryer me sukses nëse kandidati ka fituar të paktën 40% të pikëve për secilën pjesë të testit.

Shqyrtimi i testeve të dyshuara për kopjim

Komisioni i shqyrtimit të testeve, i ngritur nga drejtori i ASCAP-it, identifikon testet e dyshuara për kopjim dhe shqyrton ankesat e kandidatëve për vlerësimin e kryer.

Komisioni përbëhet nga tre anëtarë, të cilët nënshkruajnë kontratë me drejtuesin e ASCAP-it. Anëtarët e komisionit nënshkruajnë procesverbalin përkatës.

Administrimi i orëve mësimore të hapura për kandidatët e kategorisë I (Mësues mjeshtër)

ZVAP-ja dërgon instrumentin e vlerësimit të orës mësimore të hapur në drejtorinë e institucionit arsimor.

Drejtori i institucionit arsimor i dorëzon instrumentin e vlerësimit të orës mësimore të hapur drejtuesit të rrjetit profesional dhe drejtuesit të shkollës që do të marrë pjesë në orën mësimore të hapur.

Drejtoria e institucionit arsimor siguron mjedisin, mjete didaktike apo mjete digjitale (nëse ka në dispozicion) në funksion të kërkesave që parashtron kandidati për realizimin e orës mësimore të hapur.

Drejtoria e institucionit arsimor siguron pjesëmarrjen në orën e hapur edhe të ekipit lëndor, si dhe të një përfaqësuesi nga këshilli i prindërve të shkollës.

Drejtuesi i rrjetit profesional, përfaqësuesi i ZVAP-ë dhe drejtuesi i institucionit arsimor që do të marrë pjesë në orën e hapur, organizojnë diskutimin me pjesëmarrësit lidhur me cilësinë dhe efektivitetin e realizimit të orës mësimore, si dhe plotësojnë e nënshkruajnë vlerësimin në përfundim të kryerjes së saj.

Drejtori i shkollës dorëzon të plotësuar në ZVAP instrumentin e vlerësimit të orës mësimore të hapur të zhvilluar nga kandidati i kategorisë I (Mësues mjeshtër).

Drejtuesit e rrjeteve profesionale përfshijnë në planin vjetor të rrjetit profesional pjesëmarrjen në orët mësimore të hapura për procesin e kualifikimit.

Vlerësimi i orës mësimore të hapur për kandidatët e kategorisë I (Mësues mjeshtër)

Vlerësimi i orës mësimore të hapur për kandidatët e kategorisë I (Mësues mjeshtër) bëhet sipas niveleve të vlerësimit, bazuar në instrumentin për vlerësimin e orës mësimore të hapur shtojca 1, bashkëlidhur dhe pjesë përbërëse e këtij udhëzimi.

Vlerësimi i orës mësimore të hapur për kandidatët e kategorisë I (Mësues mjeshtër) shënohet në kolonën përkatëse të bazës së të dhënave që dërgohet në ASCAP për kandidatët e kualifikimit.

Vlerësimi i procesit të kualifikimit për të gjithë kandidatët

Vlerësimi përfundimtar për të gjithë kandidatët bëhet me sistemin e 100 pikëve, nga të cilat 30 pikë janë të portofolit dhe 70 pikë janë të provimit ose të orës mësimore të hapur.

Kandidati vlerësohet me pesë shkallë: A, B, C, D, E, që u korrespondojnë përkatësisht vlerësimeve me fjalët “Shkëlqyeshëm”; “Shumë mirë”, “Mirë”, “Mjaftueshëm” dhe “Dobët”.

Kandidati nuk e fiton kualifikimin nëse vlerësimi përfundimtar i tij është “Dobët”.

Përsëritja e procesit të kualifikimit

Kandidati ka të drejtë të hyjë në procesin e kualifikimit për çdo kategori dhe, në rast se nuk e kalon me sukses provimin, hyn në procesin e sesionit pasardhës.

Kandidati që e ka fituar kategorinë e kualifikimit dhe ka dëshirë të përmirësojë rezultatin, mund ta përsërisë provimin vetëm një herë në sesionin pasardhës.

Certifikimi

Kandidati që fiton kategorinë e kualifikimit, pajiset me certifikatën në të cilën tregohet kategoria, lënda/profili, cikli si edhe vlerësimi me shkronjë i shoqëruar me përshkrim.

Certifikata prodhohet nga ASCAP-i dhe nënshkruhet nga drejtuesi i ASCAP-it. ASCAP-i u dërgon certifikatat ZVAP-ve. ZVAP-të u dorëzojnë certifikatat mësuesve përkatës.

Procedura e ankimit

Për portofolin:

a) kandidati ka të drejtë të ankohet me shkrim për vlerësimin tek titullari i ZVAP-së brenda tri ditëve nga vlerësimi i portofolit;

b) titullari i dërgon ankuesit përgjigjen me shkrim brenda pesë ditëve nga data e dorëzimit të ankesës;

c) përgjigjja e titullarit është përfundimtare.

Për zhvillimin e provimit:

a) kandidati ka të drejtë të ankohet me shkrim, brenda tri ditëve nga data e përfundimit të provimit, te drejtuesi i ASCAP-it, për parregullsi gjatë zhvillimit të provimit ose për ndëshkimet që i janë dhënë nga administratori;

b) drejtuesi i ASCAP-it i dërgon ankuesit përgjigjen me shkrim brenda dhjetë ditëve nga data e dorëzimit të ankesës.

Për vlerësimin e testeve:

a) brenda tri ditëve nga data e njoftimit të rezultateve të provimeve, ZVAP-ja mbledh të gjitha ankimet me shkrim të kandidatëve për vlerësimin e provimit dhe i dërgon në formë elektronike dhe me postë në DRAP;

b) brenda tri ditëve nga marrja e ankimeve nga ZVAP-të, DRAP-ja i mbledh të gjitha ankimet nga ZVAP-të përkatëse dhe i dërgon në ASCAP në formë elektronike dhe me postë, sipas formatit të përcaktuar nga ASCAP-i;

c) nëse ankesa e kandidatit gjykohet e drejtë, testi rivlerësohet.

d) vendimi i Komisionit të Shqyrtimit të Testeve është përfundimtar.

e) përgjigjet e vlerësimeve përfundimtare të kandidatëve u dërgohen në formë elektronike DRAP-së dhe ZVAP-së përkatëse.

Konflikti i interesit

Hartuesit e fondit të pyetjeve, hartuesit e testeve, vlerësuesit e testeve dhe administratorët nuk lejohet të jenë:

a) autorë të teksteve të nxënësit;

b) autorë të librave ndihmës për nxënësit ose mësuesit (përveç atyre që botohen nga institucionet vartëse të MAS-it);

c) kandidatë për kualifikimin e atij viti.

Hartuesi dhe vlerësuesit e testit, administratorët, anëtarët e komisioneve të shqyrtimit të testeve nuk duhet të kenë lidhje familjare me kandidatët (bashkëshort/bashkëshorte/ bashkëjetues, prind, vëlla/motër, fëmijë në moshë madhore, prindër të bashkëshortit/ bashkëshortes / bashkëjetuesit).

Hartuesit e fondit të pyetjeve, hartuesit dhe vlerësuesit e testeve dhe anëtarët e komisioneve të shqyrtimit të testeve nënshkruajnë deklaratën e konfliktit të interesit në ASCAP.

Aspekte financiare

Kandidati për kategorinë III (Mësues i kualifikuar) dhe për kategorinë II (Mësues specialist) i mbulon vetë shpenzimet e udhëtimit dhe të akomodimit për të marrë pjesë në procesin e provimit të kualifikimit.

Shpenzimet për hartuesit e fondit të pyetjeve, hartuesit dhe vlerësuesit e testeve mbulohen nga ASCAP-i. Shpenzimet për administratorët e provimeve mbulohen DPAP-ja ose DRAP-të ose ZVAP-të

About The Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *