Financim i Arsimit Publik
Është nisma e Sindikatës Botërore të Arsimit si shqetësim nga problemet që përballet arsimi publik. Dhe Sindikata Botërore e Arsimit -EI konkludon se kjo gjendje në arsim vjen kryesisht nga financimi i pamjaftushëm.
Mungesa e këtij financimi ndjehet prej vitesh. EI duke vënë alarmin po i bën një shërbim të madh arsimit në gjithë planetin. Jo vetem e shtron si problem, por edhe angazhohet në një fushatë sensibilizimi për terheqjen e vëmendjes për gjithë opinionin publik e në radhë të parë qeverive të të gjitha vendeve. Sindikatat e arsimit në të gjithë Botën do të angazhohen për një financim më të mirë për arsimin. Do të zhvillohen aktivite, tubime, takime me drejtuesit e lartë të arsimit, strukturat drejtuese të niveleve të ndryshme, debate televizive, debate me përfaqësues të pushtetit qendror e lokal, opinione në shtyp dhe rrjetet sociale. Për një vit do të punohet me grupe pune, specialistë të arsimit për të evidentuar problemet e arsimit publik. E natyrisht duke ofruar alternativa zgjidhjeje. Për këtë, me 24 janar, Ditën Botërore të Arsimit EI në takimin që zhvilloi në distancë me drejtuesit e sindikatave të arsimit shpalli fillimin e këtij aktiviteti të rëndësishëm. Takim ku drejtues të sindikatave nga të gjitha kontinentet theksuan rëndësinë e këtij aktiviteti duke shtruar edhe problemet që shqetësojnë secilin vend e të gjitha së bashku. Shtete të njohura për arsim cilësor shprehen shqetësimin e rënies së cilësisë. Ka mungesë të mësuesve, qeveritë nuk po marrin masa për përmirësimin e situatës. Dy janë masat kryesore që vitet e fundit shtrohen nga të gjitha sindikatat: rritja e pagave të mësuesve dhe reduktimi i orëve të punës. Profesioni i mësuesit duhet bërë më tërheqës. E për këtë nuk mjaftojnë dy masat e mësipërme. Prandaj edhe në takimin e 24 janarit u diskutuan shumë probleme që duhet të jenë pjesë e punës së sindikatave në çdo koordinatë të rruzullit tokësor. Kushte të përshtatshme pune, aktivitete, siguri, shpërblime, të ndjehen të lumtur që do të thotë mirëqënie. Qeveritë i kanë harruar këto masa të domosdoshme. Ky është shkaku i mbetjes pa mësues. E më shqetësuese, mungesa e mësuesve cilësorë. Këto janë probleme të vendeve që për arsimin kanë një buxhet mbi 5% në raport me PBB. Për Shqipërinë e të ngjashme me të me një buxhet prej 3% të PBB është alarmante. Profesioni i mësuesit historikisht njihet si i vështirë, por në ditët e sotme po vështirësohet gjithnjë. Siç dihet mësuesia nuk është vetëm profesion, është edhe mision. Mësuesi është edhe edukator. Dhe në këtë mision po mbetet i vetëm. Prindërit edhe shoqëria në përgjithësi po tregohen indiferentë. Po tërhiqen nga detyrimet ndaj fëmijëve. Prandaj nisma e Internacionales së Edukimit nuk e ndan mësimdhënien nga edukimi. Pjesë e këtij angazhimi janë edhe dy sindikatat e arsimit të Shqipërisë: Federata e Sindikatave të Arsimit e Shkencës, FSASH dhe Sindikata e Pavarur e Arsimit, SPASH. Këto janë të vetmet sindikata të arsimit në Shqipëri anëtare më të drejta të plota në Sindikatën Botërore. Dhe do të angazhohemi që arsimi në Shqipëri të financohet realisht. Paga dinjitoze, shpërblime, kushte pune, siguri. Flasim gjithnjë për arsimin publik. Ka një projekt të veçantë për dy sindikatat shqiptare nga EI për fushatën e Financimit të Arsimit Publik. Punë që ka filluar me krijimin e Grupit Drejtues, plani i punës, seminare, forume, fushatë mediatike dhe analiza përmbledhëse në përfundim të kësaj fushate në dhjetor 2024. Dy sindikatat tona ndihen të privilegjuara nga EI në këtë angazhim nderkombëtar. Ndoshta vjen edhe për faktin se arsimi ynë ka më shumë probleme. Shpesh qeveritë për të lehtësuar punën e tyre po mbështesin arsimin jopublik. Arsimi nuk mund ti delegohet privatit. Ky veprim cënon kushtetushmërinë: arsim falas dhe humbjen e misionit, që arsimi nuk mund të kuptohet pa të. E këtu del roli i mësuesit që është thelbi për të pasur arsim cilësor e të suksesshëm. Duke kërkuar nga qeveritë që të kujdesen për mësuesit u kujtojmë mësuesve që edhe ata të kujdesen për misionin që u kemi besuar. Të gjitha debatet e analizat çojnë në përfundimin se arsimi është një peshë e rëndë, që nuk mund t’i besohet një qeverie. Ndoshta ngritja e Komisioneve Kombëtare që udhëheqin politikat arsimore, pagat, kurrikulat, rekrutimin e të tjera probleme të rëndësishme, do të ishte një veprim i dobishëm. I gjithë ky angazhim parë edhe si debat në kohë mendimesh dhe reflektimesh për atë që është bërë mirë e që nuk është bërë mirë, ose që mund të bëhet ndryshe, do të na vlejë të gjithëve.
Isa Rekaj
Kryetar i FSASH