Nuk kursehen vlerësimet për arsimin. Vlerësime që i kanë fillimet shumë kohë më parë e duke vazhduar gjithnjë në rritje. Dhe sot të gjithë i referohemi të vërtetës me të cilën filloi ky shekull: “Rritja ekonomike vjen nga cilësia e informacionit dhe cilësia e informacionit varet nga cilësia e arsimit”. Ndërsa OKB në Agjenden 2015 – 2030, për një Zhvillim të Qëndrueshëm, njërin nga objektivat më të rëndësishëm ka atë për arsimin “Arsim cilësor gjithpërfshirës dhe të barabartë, si dhe promovimi i mundësisë për një të mësuar gjatë gjithë jetës për të gjithë”. Disa e shprehin në një formë më të thjeshtë: më shumë ndikon arsimi cilësor në zhvillimin ekonomik se ekonomia në cilësinë e arsimit.
Edhe Shqipëria është në koherencë me gjithë sa thuhet më sipër. Ka ngritur kartonin e miratimit për këtë objektiv dhe gjithë vendimet e Agjendës së lartshënuar. Madje Strategjia Kombëtare e Arsimit 2021 – 2026 fokusohet tek ky objektiv. Kushdo që shikon dokumentet, ndjek diskutimet e ndjen se nuk kursehen fjalët e shprehjet e goditura për arsimin e cilësinë e tij. Por kur shtrohet problemi i financimeve këndvështrimi ndryshon. Buxheti nuk përputhet më vlerësimet teorike. Prej 30 vitesh vazhdon të mbetet 3% në raport me PBB. Më gjithë diskutimet e debatet rritja ka qënë e papërfillshme. Rekomandimeve të organizmave ndërkombëtarë për rritje deri në 5% në raport më prodhimin e brendshëm bruto u është përgjigjur me heshtje. Me këtë buxhet nuk mund të ketë paga dinjitoze për mësuesit, as mjete mësimore për mësimdhënie si dhe ambiente të përshtatshme për mësimdhënie e nxënie. Reformat e ndërmarra nuk shoqërohen me buxhetin e mjaftueshëm. Të mësuarit me kompetenca nuk pati vlerësimin me mjetet përkatëse dhe vazhdon mungesa e tyre. Asnjë mbështetje për mësuesit gjatë pandemisë dhe krizën e luftës. Varfëria në rritje po dëmton gjithnjë cilësinë dhe po rrezikon braktisjen e shkollave.
Qeveria premtoi për vitin 2022 rrittjen e pagave të mësuesve me 6%, që në fakt rritja ishte 4%, as sa inflacioni. Të njëjtën rritje po planifikon edhe në buxhetin 2023. Flitet për buxhetin e një viti të vështirë, prandaj kërkon mendimin e kontributin e shumë aktorëve. Por çuditërisht është diskutuar me nxitim e nga pak palë interesi. Për herë të parë nuk ftohen sindikatat e arsimit, partnerët socialë. Në mungesë të kësaj dëgjese i kujtojmë Parlamentit e Qeverisë se është e domosdoshme për të shtuar në këtë buxhet rritjen e pagave të mësuesve në masen 15%. Planifikimi për rritjen në masën 6% është vetëm indeksimi për shkak të inflacionit. Duke parë rritjen e çmimeve inflacioni mund të jetë edhe më i lartë. Ndërsa indeksimin e pagave qeveria e ka detyrim të përhershëm. Duke parë përshkrimin tek Strategjia Kombëtare e Arsimit, Qeveria premton se pagat e mësuesve në Sistemin Arsimor Parauniversitar më 1 janar 2025 do të jenë 40% më të larta se nga 1 janari 2021. Prandaj rritja me 15% është e natyrshme dhe e studiuar. Mbetet vetem shtesa në planifikimin e buxhetit 2023. Në të kundërt nga sa thuhet tek Strategjia Kombëtare do të mbetet një premtim i pambajtur dhe nuk mund ta pranojmë. Duke i kujtuar cilësinë për mësimdhënie pa folur për laboratorë modernë, po i kujtojmë minimalisht një videoprojektor e laptop për çdo klasë. Veprim ky që duhej bërë me fillimin e të mësuarit me kompetenca.
Çdo vit diskutojmë për shpërblimin në fundvit. Të paktën aq sa ishte 10 vite më parë. Vlera e këtij shpërblimi është e papërfillshme, nuk i kalon 3 milion euro. Atëherë si ta kuptojmë qëndrimin e Qeverisë ndaj mësuesit, që do të thotë ndaj arsimit!? Kërkesat tona vazhdimisht janë mbështetur në argumente. Kemi vlerësuar gjithnjë momentet e vështira që ka kaluar vendi. Nuk kemi kërkuar rritje pagash pa vlerësuar gjendjen financiare. Kemi përjetuar tërmetin tragjik të 26 nëntorit, nevojat jetike të qytetarëve. Kemi vlerësuar Pandeminë COVID – 19 dhe këtë vit krizën që solli lufta në Ukrainë. Këtë mbështetje Qeveria nuk e ka vlerësuar. Tashmë treguesit e buxhetit 2023 për arsimin i quajmë të papranueshëm. Duhen korigjuar. Duke përfunduar kërkohet nga Qeveria diskutimi me sindikatat e më gjerë dhe të vendosin në rrugën e zgjidhjes problemet e arsimit. Natyrisht kërkohet më shumë nga ato sa u thanë më lart. Por po nuk u bë edhe kaq sa shtruam, asgjë nuk do të jetë në rrugën e zgjidhjes.
Isa Rekaj
Kryetar i FSASH