“Të lexuarit rrit vetëbesimin”/ Ekspertja shpjegon arsyet: Pse të rinjtë po u largohen librave

Viola Shkulaku

 

Ata që nuk lexojnë, ndoshta nuk e kanë përjetuar gëzimin dhe magjinë e një tregimi, ose të të mësuarit diçka të re për një temë të preferuar. Shpeshherë leximi mund të duket, si një detyrim, por në të vërtetë nuk është ashtu.

Nënkryetarja e Federatës së Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës, Flutura Dervishi tregon rëndësinë që ka të lexuarit në zhvillimin konjitiv, emocional dhe social të të rinjve, që përgatiten për rrugën e gjatë të jetës. Sipas saj, të lexuarit ndikon në zhvillimin emocional, duke rritur ndjenjën e vetëvlerësimit dhe të vetëbesimit.

A e kanë kulturën e leximit të rinjtë shqiptarë?

Problemet e të lexuarit janë bërë një çështje shumë e ndjeshme, jo vetëm te fëmijët e të rinjtë, por gati e mbarë shoqërisë, jo vetëm në vendin tonë, por në të gjithë botën. Në ditët e sotme, libri nuk shihet si i vetmi burim informacioni. Modernizimi i jetës, zhvillimi me ritme të shpejta i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, ka ndryshuar qasjen e lexuesit ndaj të lexuarit, si dhe mënyrat dhe stilet e të lexuarit. Tashmë, të rinjtë, duke përdorur të lexuarin online, nuk e shohin librin klasik si parësor.

Teknologjia ka bërë, që të ndryshojë forma e librit, por jo përmbajtja. Cilët janë faktorët që ndikojnë në zbehjen e dëshirës për të lexuar?

Janë shumë faktorë që ndikojnë në zbehjen e dëshirës për të lexuar nga të rinjtë. Zhvillimi i teknologjisë dhe mungesa e modeleve orientuese për të rinjtë, janë faktorë dominues. Edhe pse kanë kaluar gati 30 vjet demokraci, shoqëria jonë ka mbetur ende në tranzicion. Shumë pak ose aspak, prindërit nuk lexojnë në kohën e tyre të lirë. Mediat sociale, jo vetëm që kanë “zaptuar” vëmendjen e fëmijëve dhe të rinjve, por në një farë mase edhe të rriturve. Futja e teknologjive moderne, ka bërë që njerëzimi të kërkojë rrugë alternative më të shpejta për funksionimin e jetës së tij. E njëjta gjë vlen të thuhet edhe për marrjen e informacionit. Informacioni merret me një klick, mjafton të kesh një smartphone. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. E keqja vjen më pas: Sa i saktë është informacioni i kudohedhur? Sa i thellë është bërë leximi nga lexuesi për këto informacione? Pra, mungon të lexuarit kritik nga ana e lexuesit. Leximi mbetet vetëm në rrafshin sipërfaqësor.

Çfarë pasojash sjell kjo formë leximi?

Kjo formë leximi është një faktor ndikues i shfaqjes së dukurisë së analfabetizmit funksional. Rezultatet e arritura nga 15-vjeçarët shqiptarë përmes testeve të PISA-s, pas vitit 2000 (edhe pse përqindja e analfabetëve funksionalë, ka ardhur në rënie) janë një kambanë alarmi për cilësinë e arsimit tonë, për sa i përket fushës së leximit nga të rinjtë, pasi shumica e nxënësve, edhe pse lexojnë, nuk janë në gjendje të kuptojnë apo të analizojnë tekste të thjeshta.

Ju e keni studiuar nga afër ndikimin që ka tek të rinjtë. A i ndihmon të lexuarit në zhvillimin e tyre konjitiv dhe si?

Përmes të lexuarit mundësohet realizimi i  shumë marrëdhënieve komunikative mes njerëzve. Të lexuarit ndikon në zhvillimin konjitiv të  adoleshentëve, në  zhvillimin e fjalorit të  tyre vetjak, në zhvillimin e të menduarit kritik dhe krijues. Të lexuarit ndikon në zhvillimin emocional, duke rritur ndjenjën e vetëvlerësimit dhe të  vetëbesimit, përmes suksesit. Të lexuarit ndihmon në zhvillimin mendor të adoleshentëve, duke reduktuar stresin e lexuesit. Gjithashtu, të lexuarit ndihmon në zhvillimin social të adoleshentëve. Përmes modeleve të suksesshme që gjejnë në libra, u jepet mundësi të përshtaten më lehtë në mjedise të  ndryshme shoqërore.

Çfarë duhet bërë për të nxitur të rinjtë që të lexojnë?

Nuk është e lehtë ta kthesh librin te të rinjtë, në mënyrë që leximi të bëhet kulturë për ta. Detyra kryesore i mbetet shkol lës, mësuesit. Por, jo vetëm. Është përgjegjësi e përbashkët e shkollës, familjes dhe e krejt shoqërisë për të përmbushur me sukses këtë mision. Nuk ka rëndësi se në çfarë forme zgjedhin të rinjtë të lexojnë. Rëndësi ka që leximi t’i shërbejë nxitjes së mendimit kritik të tyre.

About The Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *