Për një ridimensionim të rolit dhe funksionit të grave në sindikatë.

Xhafer Dobrushi
Referat i mbajtur në konferencën dy-ditore në Durrës me forumet e grave të FSASH/SPASH.

Takimi me përfaqësues të komisioneve të gruas të FSASH/SPASH, përveçse festiv, është dhe një takim pune për të diskutuar e shkëmbyer mendime për një konceptim të ri të rolit të grave në sindikatë, më saktë, për një ridimensionim gradual të rolit dhe funksionit të gruas në dy sindikatat tona.

Siç e dini, komisioni i gruas është përfshirë prej rreth dy dekadash si strukturë statutore në secilën sindikatë. Bërthama e këtyre komisioneve jeni ju zonja pjesëmarrëse në takimin e sotëm. Secila nga ju jeni njëkohësisht të zgjedhura edhe si kryetare e seksionit sindikal vendor përkatës. Natyrisht jeni edhe në dijeni të veprimtarive që herë pas here janë zhvilluar në kuadrin e këtyre komisioneve.
Kjo që ka ndodhur në dy sindikatat tona, pra përfshirja në strukturën organizative të tyre të komisioneve të grave, nuk është një fenomen vetëm shqiptar. Kjo është karakteristikë e të gjithë sindikatave të vendeve në tranzicion, përfshirë edhe arsimin.
Nga fundi i shekullit të kaluar po bëhej gjithnjë e më i theksuar fenomeni i rënies së interesit të punëmarrësve të rinj për t’u anëtarësuar në sindikata. Përballë kësaj gjendjeje, strukturat sindikale botërore dhe europiane ITUC, ETUC, përfshire EI dhe ETUCE, shtruan nevojën dhe kërkesën për të përfshirë brenda sindikatave në nivel profesional kombëtar, rajonal dhe vendor Komisionet e Gruas dhe të Rinisë.
Periudha për të cilën po flasim, duke ju referuar FSASH/SPASH, ndonëse jo në nivelin e kërkuar, ka lënë gjurmë, ka evidentuar veprimtari dhe veprimtare të spikatura që flasin për rritjen e rolit të grave në sindikatë.

Po pse themi se tani janë mundësitë dhe kushtet për një rikonceptim dhe ridimensionim të rolit të gruas në sindikatë?
Kjo bëhet e mundur sepse, në bazë të të dhënave që disponon MAS dhe DPAP, në vitin shkollor në vijim 2022/2023 gratë dhe të rinjtë përbëjnë masën absolute të mësimdhënësve.
Aktualisht sot qind për qind e mësimdhënësve në arsimin parashkollor janë gra dhe të reja,

  • 87 përqind e mësimdhënësve në ciklin e ulët, klasa 1-5 janë gra dhe të reja,
  • Mbi 70 përqind e mësimdhënësve në ciklin e lartë të arsimit 9- vjeçar janë gra dhe të reja, dhe
  • Rreth 70 perqind e mesimdhenesve ne arsimin e mesem, jane grad he te reja.
  • Rreth 5000 mësues të punësuar në arsimin parauniversitar janë të moshës nën 35 vjeç.

Gjykuar mbi bazën e këtyre të dhënave, rezulton se ndonëse funksioni kryesor i sindikatave të arsimit FSASH/SPASH, si deri më sot, ka qenë dhe mbetet dialogu social me punëdhënësin, me MAS dhe Qeverinë për plotësimin dhe përmirësimin e kërkesave dhe interesave social-ekonomike të sindikalistëve dhe mësuesve, nga njëra anë, dhe arsimimi cilësor e gjithëpërfshirës, nga ana tjetër, dialog që është konkretizuar e institucionalizuar në 8 kontrata kolektive të punës të njëpasnjëshme, prapë se prapë, pjesa absolute e sindikalistëve dhe mësuesve, konkretisht gratë dhe të rejat, kanë edhe kërkesa e interesa më të gjera dhe specifike.

Këto kërkesa dhe interesa lidhen me vendin që zënë dhe rolin që luajnë gratë në organet drejtuese të FSASH/SPASH, me plotësimin e nevojave për rritjen e shkallës së kualifikimit dhe konsolidimin cilësor të profesionit, me zgjerimin e nivelit kulturor e artistik në shërbim të arsimimit cilësor, me interesa specifike në fushën shëndetësore, etj.

Programimi i këtyre veprimtarive, detajimi dhe organizimi i punës për realizimin e tyre nga ana e Komisionit te Gruas në sindikatë, do të rrisë interesimin e mësueseve për të jetuar nga afër e në mënyrë konkrete me problemet dhe shqetësimet e tyre në përditshmëri, dhe për pasojë, do të sjellë rritjen e anëtarësisë sindikale dhe qëndrueshmërinë e saj.

 

About The Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *