7 Marsi: Emocione, Meditime, Reflektime . . .

7 Marsi: Emocione, Meditime, Reflektime . . .

Është festa e shkollës shqipe dhe dita e mësuesëve shqiptarë. 7 marsi i 137 viteve më parë kurorëzoi suksesin e punës, mundimit, përkushtimit e sakrificave të patriotëve, iluministëve. Kjo ditë nuk erdhi natyrshëm si në shumicën e vendeve të tjera. Erdhi si rast unikal në historinë e pedagogjisë botërore, siç thekson profesor Shefik Osmani: kur për shkollën, gjuhën, artin e kulturën është paguar shtrenjtë deri me jetë, jo të një apo dy dëshmorëve, por të dhjetra e dhjetra të tillëve, të njohur e të panjohur e të çdo periudhe që nga Pjeter Budi deri tek Ndrec Ndue Gjoka”.

Ky heroizëm e sakrifica janë në themelet e shkollës shqipe. Themele që frymëzojnë dhe emocionojnë çdo shqiptar e në veçanti mësuesit që nga 7 marsi i parë tek 137-ti e në përjetësi. Cilësi të cilat motivojnë në angazhimin, përkushtimin, të jetuarit me kohën e kërkesat e saj. 7 marsi është edhe meditim, analizë e reflektim. Çdo mësues kujton momente të veçanta nga njëri 7 mars tek tjetri, siç ka kujtuar problemet nga njëra ditë tek tjetra. Në ketë analizë në heshtje shumë gjëra janë bërë mirë, por ka edhe të tjera që duhej të ishin bërë ndryshe. Duhen metoda e mjete të tjera për këto ndryshime. Edhe këtë ditë nuk ndjehet i qetë. Profesioni që kërkohen aq shumë standarde, aq shumë punë e perkushtim po vështirësohet gjithnjë. Me rritjen e kërkesave ndaj arsimit në përgjithësi e mësuesit në veçanti duhen parë me tjetër këndvështrim të gjithë parametrat. E thënë ndryshe, rritje mjatueshëm e pagave, kushte të përshtatshme pune e mjete cilësore për mësimdhënie.

Edhe edukimi, që shkolla mësuesi e kanë mision, ka probleme e mësuesi i vetëm nuk mund ta realizojë. Shoqëria e në veçanti prindërit nuk duhet të harrojnë edukimin familjar. Pa të cilin nuk vjen edukimi qytetar, formimi i brezit të ri. Nëse neglizhohet misioni i mësuesit, shkolla do të humbë karakterin e saj kombëtar, patriotik, vlerat morale. Mendojmë se me 7 Mars nuk do të meditojnë, analizojnë e reflektojnë vetëm mësuesit. Në përmasa më të vogla kjo do ndodhë tek të gjithë. E rëndësishme është të analizojnë e të reflektojnë strukturat drejtuese të arsimit, Qeveria.

Reflektimi i Qeverisë vlen shumë për pyetjet e mëposhtme:

A e kanë kuptuar se me keto paga, me këto kushte pune, pa mjete mësimore nuk do të kemi arsimin që duam?

A do të t’i rishikojnë kurrikulat, tekstet, programet etj?

A do të jenë bindur se duhet një konsultim me gjithë aktorët, specialistë të bindjeve e pervojave të ndryshme për reformat arsimore?

A duhet rënë dakord me të gjitha forcat politike që një Komision Kombëtar të percaktojë disa standarde për arsimin që nuk duhet t’i prekin qeveritë pa miratimin e këtij Komisioni? A duhet që një nga këto standarde të jetë: buxheti për arsimin jo më i ulët se 5% në raport me PBB?

Duke u dhënë përgjigje pozitive këtyre pyetjeve hyjmë në shekullin e arsimit cilësor.

Gëzuar 7 Marsin!

Isa Rekaj
Kryetar i FSASH

 

About The Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *