Në zbatim të nismës së miratuar nga MAS, Shkolla Qendër Komunitare, këtë vit po gjejnë
zbatim disa projekte, një ndër to është edhe projekti me temë: Për Artet, Zejet, Sportet
Programi i përgatitur në Permakulturë, lënda bujqësi, nga prof. Endrit Cullaj, po zbatohet në
shkollën 9 vjeçare “Met Hasa” të Durrësit.
Ky program synon përfshirjen e fëmijëve në projekt, për t’u njohur me bukuritë e natyrës,
dhe me shërbimet për të rritur pjellorinë e tokës, me mbjelljen e kulturave bujqësore, duke
krijuar sisteme ekologjikisht të shëndetshme, fitimprurëse që nuk ndotin mjedisin.
Planin mësimor janar deri 16 qershor 2023, e përshtati mësuesi i apasionuar Z. Bashkim
Shyle, i cili pasi e bëri pjesë të punës me bordin, stafin edukativ, prindërit, nxënësit e
komunitetin, po e zbaton me fëmijët pranë kopshtit të shkollës “Met Hasa” të Durrësit.
Ne pamë se ditëve të shtuna, nxënës nga kl. 6 deri te kl 9, të pajisur me vegla pune bashkë me
prindërit e tyre, nën drejtimin e mësues Bashkimit, punojnë në kopshtin e shkollës, duke
mbjellë fidanë e pemë.
Gjatë punës së tyre u vu re se fëmijet ndjehen mirë, krijojnë një mjedis pozitiv e miqësor me
njëri – tjetrin, ndjehen të vlerësuar, gjë e cila mund të minimizojë braktisjen e fshehtë duke i
afruar më tepër me shkollën, duke i bërë më socialë, dhe praktik për jetën.
Bashkia Durrës po mbështet punën e fëmijëve, dhe në vijim të realizimit të projektit, po
krijon kushtet për ndërtimin e një serre, nga e cila nxënësit të shijojnë e të marrin frytet e
stinës nga duart e tyre, të mësojnë t’i shërbejnë tokës si një thesar i natyrës së bukur
shqiptare, për një jetë të shëndetshme.