A është i vlerësuar mësuesi në këto kohë?

Figura e mësuesit

A është i vlerësuar mësuesi në këto kohë?

Sot mësuesi në Shqipëri është një profesionist i  kërkuar nga prindërit që kanë një vlerësim të rëndësishëm për shkollimin e fëmijëve të tyre. Sot mësuesi me shumë durim e ngriti figurën e tij e cila në tranzicionin politik/ekonomik u nëpërkëmb dhe  për këtë iu desh një vazhdim këmbëngulës dhe me integritet profesional për t’u ri ngritur.

Po çfarë ndodh sot në shkolla ?
Sa i motivuar është mësuesi?
A është i lirë të shprehet?
A përfshihet në politika të ri ngritjes së shkollave?
A përfshihet në politika të mbarëvajtjes apo sigurisë dhe mirëqenies së nxënësve ?

Sot kemi një mësues të mbingarkuar lidhur me rolin në institucion, burokraci dokumentesh të pafundme, të pa mbështetur në mjete didaktike, laboratorë shkencore dhe infrastrukturë digjitale. Kjo i jep mësuesit një mbilodhje pasi vetëm fjala e tij nuk e bën tërheqëse orën mësimore dhe vetëm fjala e tij nuk mjafton në zgjimin e interesit të adoleshentëve të sulmuar nga teknologjia e kohës…
Sot kemi mësues të  pamotivuar  lidhur me trajtimin ekonomik nga punëdhënësi i cili shpesh herë detyrohet të bëjë një punë të dytë duke e bërë të pafuqishëm dhe të mbi-lodhur.

Sot kemi një mësues që nuk ndihet plotësisht i lirë në të shprehur si brenda institucionit edhe në media, pasi në shumicë shkollat drejtohen nga drejtues  politikë.

Sot kemi një mësues që kërkohet bashkëpunim  i imponuar dhe jo i natyrshëm kur bëhet fjalë për kurikula, programe, administrim të dhënash, edhe kur bëhet fjalë për punë mbi normën e shprehur në ligj.

Mësuesi kupton që shpesh herë “projekte të mëdha apo të vogla” të iniciuara nga ministria e linjës  sjellin përfitime për një numër të kufizuar institucionesh duke u ndierë të përjashtuar shpesh herë periferia dhe zonat rurale. Sot në vendin tonë nuk kemi arsim të barabartë për çdo fëmijë dhe kjo sjell humbje duke e parë që lideri mund të jetë kudo, jo domosdoshmërish në metropol.

Sot në vendin tonë GDP është në nivele të ulëta duke mos mundësuar investime në arsim apo kërkim shkencor.

Politika ndër vite ka përsëritur projekte të ngjashme duke ju dhënë përfitime një grup njerëzish ose klanesh rreth politikës duke e lënë mësuesin vetëm pjesë të fotove për t’ia nisur donatorëve.

Siguria dhe disiplina i japin shkollës shtylla të forta bashkëpunimi me gjithë partnerët.

Lind pyetja a janë te sigurta shkollat tona? Pjesërisht po! Them këtë pasi një numër i madh prindërish mungojnë ne institucion edhe kur ndodhen në familjet e tyre. Një pjesë janë në emigracion, sidomos në zonat rurale dhe periferi. Kështu mësuesit/psikologut i duhet të përballet i vetëm me gjithë problemet e adoleshentit. Siguria dhe mirëqenia e adoleshentit kërkon disa faktorë social dhe ekonomik për t’u analizuar. Këtu rol të rëndësishëm ka edhe shteti. Studimet, e më pas pilotimet duhet të ndihmojnë dhe qartësojnë panoramën sjellore familjare dhe shoqërore. Media  dhe rrjetet sociale shpesh bëhen lehtësisht imituese për adoleshentët duke vënë në vështirësi marrëdhënien me nxënësit në institucion.

Mësuesit e kanë ndihmë prindin dhe në shumicë e duan prezencën e tij në  shkollë. SOT AI NDIHET I VETËM NË ROLIN E TIJ. Edhe pse një numër i konsiderueshëm shkollash, rreth 400 janë kthyer në komunitare , roli i komuniteteve është i ulet…

Nëse e vute re me vëmendje mësuesi  në opinionin tim ishte shumë rolesh për t’iu përgjigjur gjithë dinamikave në institucionin shkollor…

Si përfundim hedh tezen:
NËSE nuk trajtohen mësuesit  me qëllim;
– integrimin lëndor
– integrimin e dijes
–  integrim fushash në nivel projektesh dhe planesh  afatmesëm dhe afatgjatë, janë të rrezikuar nxënësit dhe e ardhmja e tyre….

Alma Lama
Kryetare SPA Tiranë

 


        

About The Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *