Qendra e Solidaritetit Shqipëri, në datat 2-4 qershor organizoi në Tiranë një konferencë rajonale me titull “Përmirësimi i kushteve të punës dhe bashkëpunimit ndërkufitar për sindikatat e arsimit në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi” me pjesëmarrjen e 35 përfaqësuesve nga Federata e Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës të Shqipërisë (FSASH), Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë (SPASH), Sindikata e Arsimit Shkencës dhe Kulturës nga Maqedonia e Veriut (SONK), Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të Arsimit të Serbisë (NSPRS) dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Republikës së Kosovës (SBASHK). Në konferencë morën pjesë gjithashtu dy përfaqësues të lartë nga Federata Amerikane e Mësuesve, si dhe Drejtori Rajonal i Qendrës së Solidaritetit për Evropën dhe Azinë Qendrore.
Në ditën e parë pjesëmarrësit diskutuan për Kushtet e Punës në Sektorin e Arsimit në vendet pjesëmarrëse në konferencë. Në fjalën e tyre panelistët theksuan se kushtet e punës për mësuesit janë shumë të ngjashme. Megjithë kontributin e çmuar që mësuesit japin për shoqërinë në edukimin e brezave dhe investimit në të ardhmen sërish ata përballen me një infrasktrukturë të dobët, mjete mësimore të pamjaftueshme, paga të ulëta, klasa me shumë nxënës, buxhet të vogël për arsimin dhe shpesh herë me dinjitet të nëpërkëmbur, ndonjëherë edhe të pasigurt fizikisht.
Nga ana tjetër përfaqësuesit e Federatës Amerikane të Mësuesve folën për një sërë problematikash që sistemi i mësimdhënies në Shtetet e Bashkuara ndesh sic janë shkurtimet e theksuara në staf për arsye se mësuesit atje ndihen të pakënaqur për mënyrën sesi trajtohen, pa respekt e vlerësim, pa mbështetje dhe burime mësimore. Puna burokratike gjithashtu zë një volum të madh. Për më tepër ekziston një kulturë që shënjestron dhe fajëson shkollat publike dhe mësuesit e shkollave publike për testet e standartizuara.
Në ditën e dytë sindikalistët nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut folën për greva domethënëse që ata kanë organizuar në dy vitet e fundit, greva që u mundësuan atyre rritje të pagave nga 10-18 %. Sindiktat e Shqipërisë folën për procesin e hartimit të kontratës së re kolektive 2023-2027 me Ministrinë e Arsimit dhe përpjekjet për të negociuar kushte më të mira pune dhe përfitime optimale për anëtarët.
Fenomeni i dhunës në shkollat publike sipas sindikalistëve përbën një këmbanë alarmi që duhet të nxisë ata ta ngrenë çështjen me urgjencë në institucionet e larta shtetërore. Sindikatat e shohin të domosdoshme që në këtë drejtim të hartojnë së bashku me mesusit, drejtorët e shkollave, prindërit dhe ministrinë e arsimit plane veprimi konkrete për ta parandaluar dhe zgjidhur cështjen e dhunës në shkolla.
Përfaqësuesit e AFT-së ndanë me pjesëmarrësit praktikat e tyre më të mira lidhur me rekrutimin e anëtarëve të rinj dhe ruajtjen e anëtarësisë, si programet e mundësimit të huave për të rinjtë studentë, programet e komunikimit të drejtëpërdrejtë me komunitetin, të diversitetit dhe gjithëpërfshirjes. Një nga filozofitë që AFT mbështet është fushata e kontratës. Kjo fushatë është thelbësore për të kuptuar se fuqia e sindikatës për të siguruar fitore është e rrënjosur tek forca e tyre – në numra- tek anëtarët dhe familjet e tyre, aleatët dhe komuniteti. Aktivitetet e fushatës së kontratës ndihmojnë në hedhjen e bazave për një kontratë të ndershme dhe, përmes tyre planfikohet madje fitorja e grevës nëse ajo përbën një hap që duhet ndërmarrë patjetër.
Në ditën e tretë u diskutua sesi sindikatat e arsimit mund të bashkëpunojnë dhe të bëhen më të fuqishme së bashku për të kontribuar në zgjidhjen e cështjeve që u ngritën.
Drejtuesit e sindikatave të pranishme u zotuan se do të koordinojnë përpjekjet duke hartuar marrëveshje bashkëpunimi për të mbështetur njëri-tjetrin në luftën e përbashkët për kushte më të mira pune dhe arsim cilësor. Ata do të ndërtojnë programe mbështetje për anëtarët dhe për të rritur numrin e anëtarëve; do të avokojnë për buxhete më të mira për arsimin; do të përmirësojnë strategjitë e komunikimit për organizim më të mirë të anëtarëve, por edhe për të rritur besimin dhe mbështetjen e sindikatave të arsimit.
Gjithashtu ata u angazhuan se do do të përdorin dialogun social për të negociuar kontrata kolektive që bëjnë të mundur që mësuesit të trajtohen me dinjitet; kontrata që do të sjellin kushte më të mira pune, paga dinjitoze dhe rritje profesionale për mësuesit; kontrata të cilat i kthejnë shkollat në qendra komunitare në të mirë të mësusve, nxënësve dhe prindërve.
“Unë shoh shpresë në këtë sallë sot. Së bashku në mund të sjellim ndryshimin që ne duam për veten, mësuesit, fëmijët dhe vendet tona – tha një nga pjesëmarrësit – Për të shpëtuar profesionin tonë, për të rigjallëruar shkollat dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë.”